Procedura për të bërë ankesë apo vërejtje në lidhje me shërbimet

Procedurat për ankimim:

Si të arrish mbrojtjen ligjore? Procedurat e apelimit – hap pas hapi.

  1. Apeluesi. Operatori ekonomik ose tenderuesi, si dhe çdo person që ka pasur interes në një procedurë prokurimi publik, koncesioni, ankandi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktor, i marrë në kundërshtim me këtë ligj, mund ta kundërshtojë vendimin.
  2. Ankesa për procedurat e prokurimeve, ankandeve dhe koncensioneve/PPP-ve (sipas ligjit nr.123/2013 Koncesionet dhe Parneriteti Publik Privat) i paraqitet, së pari me shkrim, autoritetit kontraktor në fjalë brenda 7 ditëve që nga dita kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas përcaktimeve përkatëse ligjore.
  3. Afatet kohore për paraqitjen e ankesës për prokurimet publike ankandet dhe koncesionet/PPP-të. Nëse Autoriteti Kontraktor nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim tek Komisioneri i Prokurimit Publik brenda 10 ditëve nga dita e nesërme e punës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar, për procedurat e prokurimit dhe koncesioneve/PPP-ve si dhe brenda 7 ditëve për procedurat e ankandit ose në rast se ankesa nuk pranohet nga autoriteti kontraktor, që nga dita kur ankuesi është njoftuar nga autoriteti kontraktor. Një kopje me shkrim e ankesës i dërgohet edhe autoritetit kontraktor. Ankesa për procedurat e koncensioneve i paraqitet KPP brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit të klasifikimit vetëm në rastet kur procedura koncensionare ka nisur të zhvillohet në bazë të ligjit nr.9663, dt. 18.12.2006 “Për koncensionet” i ndryshuar.
  4. Përmbajtja e ankesës. Ankesa bëhet me formularin përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete, baza ligjore dhe përshkrimi i shkeljes, pretendimi i ankuesit për vendimin përfundimtar, shkallët e ankimit shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe vendimin e autoritetit kontraktor. Elementët e mësipërm janë të domosdoshëm për shqyrtimin e ankesës.
  5. Mbrojtja ligjore. Palët kanë të drejtë, që kundër vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, të bëjnë padi për të shqyrtuar mosmarrëveshjet administrative në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e prokurimit, ankandeve dhe koncensioneve/PPP-ve.