Bashkia Himarë mori pjesë në vizitën studimore të zhvilluar në Vjenë, në kuadër të projektit evropian URBACT “Nxitës Pionier (Pioneer Accelerator)”, në të cilin bashkia është partnere.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor patën mundësinë të njihen me praktikat më të mira evropiane në fushën e mobilitetit të qëndrueshëm dhe përfshirjes së aktorëve lokalë në planifikimin e transportit urban.
Programi përfshiu takime me institucione dhe operatorë kryesorë të transportit, si Wiener Linien, Mobility Agency Vienna dhe NextBike, si dhe shembuj konkretë në terren, përfshirë infrastrukturën e biçikletave, zonat me kufizim shpejtësie 30 km/h dhe nyjet intermodale në stacionet kryesore të Vjenës.
Vizita studimore vijoi edhe në Sankt Pölten, ku u prezantua modeli i menaxhimit rajonal të transportit nga NÖVOG, si dhe në Zlín, ku u njoh një model i integrimit të transportit publik, i mbështetur nga aplikacioni digjital FAIRTIQ.
Njohuritë dhe përvojat e përfituara nga ky shkëmbim do të shërbejnë për zbatimin më efikas të projektit dhe për zhvillimin e zgjidhjeve të përshtatshme të lëvizshmërisë urbane për Bashkinë Himarë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.