Postime Tjera

Shërbimet

Ditë Informuese në Himarë për mundësitë e reja të financimit nga Programi Interreg “Greqi-Shqipëri 2021-2027”

Më 8 shtator 2026, në Bashkinë Himarë u zhvillua Dita Informuese (Info-Day) në kuadër të Thirrjes së 6-të dhe të 7-të për Projektet me Vlerë të Vogël (Small-Scale Projects).

Aktiviteti u organizua nga Autoriteti Menaxhues / Sekretariati i Përbashkët i Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Interreg VI-A IPA CBC “Greqi-Shqipëri 2021-2027”, së bashku me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Gjatë takimit u prezantuan mundësitë që ofrojnë dy thirrjet e reja, me një buxhet total prej 3,000,000 eurosh:

  • Thirrja e 6-të – 1,000,000 €: Përmirësimi i biodiversitetit, infrastrukturës së gjelbër në mjedisin urban dhe reduktimi i ndotjes.

  • Thirrja e 7-të – 2,000,000 €: Forcimi i rolit të kulturës dhe turizmit të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik dhe inovacionin social.

Buxheti për çdo projekt varion nga 120,000 deri në 400,000 euro, ndërsa buxheti maksimal për partner është 200,000 euro. Financimi nga Bashkimi Evropian mbulon 80% të kostove të pranueshme.

Gjatë Ditës Informuese u trajtuan kushtet e thirrjeve, metodologia e përzgjedhjes së propozimeve, hartimi i propozimeve, kërkesat financiare dhe procedurat për dorëzimin e aplikimeve përmes sistemit elektronik MIS.

Projektet me Vlerë të Vogël synojnë të krijojnë mundësi më të aksesueshme edhe për bashkitë, organizatat lokale, shoqatat, komunitetet rinore dhe organizatat që nuk kanë marrë pjesë më parë në projekte Interreg.