Bashkia Himarë njofton të gjithë tatimpaguesit se kanë filluar pagesat për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve për taksat/tarifat vendore të papaguara ndër vite, nëpermjet shlyerjes së plotë ose të pjesshme të detyrimit kryesor, sipas kategorive dhe afateve të përcaktuara në ligj. Në zbatim të dispozitave të Ligjit 86/2025, “Për fshirjen,shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qëndrore e vendore dhe detyrimeve te pagueshme në doganë” si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, tatimpaguesit mund të përfitojnë nga falja me kusht e detyrimeve për taksat /tarifat vendore për kategoritë;
1.Detyrimet për taksat/tarifat vendore për periudhën 01.01.2015-31.12.2019, ku fshihet 50 % e detyrimit principal nëse pjesa tjetër prej 50 % paguhet njëherësh deri në datën 30/06/2025, ose fshihet 25% e detyrimit principal nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet deri në 31.12.2026. Në të dy rastet gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
2.Detyrimet për taksat/tarifat vendore për periudhën 01.01.2020 deri në 31.12.2024, për të cilat gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht, me kusht që detyrimi i papaguar te paguhet në masën 100%.
Bashkia Himarë kujton subjektet që janë në proces ankimimi administrativ ose gjyqësor se mund të përfitojnë nga dispozitat e ligjit vetëm nëse heqin dorë nga ankimi, padia apo rekursi gjyqësor. Deklarimi i heqjes dorë bëhet me njoftim zyrtat pranë Bashkisë Himarë.
Ftohen të gjithë tatimpaguesit, që kanë detyrime të papaguara, të paraqiten pranë drejtorisë së të ardhurave në Bashkinë Himarë për të verifikuar situatën e tyre financiare dhe të mos humbasin mundësinë të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në ligjin e sipërcituar.