

Shkëmbim përvoje mes Bashkisë Himarë dhe Bashkisë Përmet për forcimin e kapaciteteve në projekte dhe integrimin europian
Bashkia Himarë zhvilloi një vizitë shkëmbimi përvoje në Bashkinë Përmet, një aktivitet i iniciuar me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndarjen e praktikave më të mira në fushën e projekteve dhe integrimit europian.
Vizita nisi me një takim miqësor me Kryetaren e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha, ku diskutimi u përqendrua jo vetëm në shkëmbimin e përvojave profesionale mes drejtorive homologe, por edhe në vizionin e bashkëpunimit afatgjatë dhe ndërtimin e lidhjeve njerëzore e profesionale për një impakt më të qëndrueshëm në zhvillimin lokal.
Gjatë takimeve të punës ndërmjet Drejtorive të Projekteve dhe Integrimit Europian, si dhe Drejtorisë së Financës, u trajtuan çështje të përditshme të menaxhimit të projekteve, sfida praktike dhe mekanizma zgjidhjeje që Bashkia Përmet ka zhvilluar gjatë përvojës së saj. U konsultuan procedura tipike të dosjeve dhe modele pune që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit administrativ dhe financiar.
Si pjesë e aktivitetit, u realizuan vizita në disa prej vendeve ku janë zbatuar projekte të suksesshme nga Bashkia Përmet, duke parë nga afër rezultatet konkrete dhe ndikimin në komunitet. Aktiviteti u përmbyll me vizita tek operatorë lokalë, çka ofroi një përvojë të veçantë autentike të mikpritjes përmetase.
Bashkia Himarë mbetet e angazhuar për të forcuar kapacitetet institucionale përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, me synimin për të rritur cilësinë e projekteve dhe për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.