“Kështjella e Sopotit” (Borsh)

Faza më e hershme e fortifikimit daton në periudhën e bronzit të vonë, ndërsa në fillimet e periudhës helenistike shek. IV-III p.e.s, që përkon me fazën e dytë, shëndrohet në një qendër qytetare të rëndësishme. Fortifikimi i kësaj periudhe zë një sipërfaqe rreth 2.80 ha dhe ndahet në tri hapsira, ku atë qëndroren e zë pjesa e akropolit. Hyrja e fortifikimit antik ndodhet në juglindje. Në shpatin jugperëndimor e atë verior të kodrës shihen rrënoja të shumta banesash antike gjysëm të punuara në shkëmb. Në antikitet rajoni quhej Meandria. Akropoli i Meandrise antike u ndërtua rreth fillimit të shek. III p.e.s me mure të stilit trapezoidal mbi bazën e së cilës është ngritur kalaja mesjetare, ku dhe ka marrë emrin e tashëm. Në kodër, gërmimet sollën në dritë gjetje nga qyteti antik, fortifikime të shek të IV, kompleks banesash dhe nekropolin e lashtë me varre te thjeshta dhe monumentale me qemer cilindrik si dhe qeramika të shumta, amfora, kandila, skyfosa, lekyte, etj…Midis objekteve më interesante që u zbuluan nga germimet ishte nje mozaik shumëngjyresh, një symbol rrufeje prej hekuri, dy gjethe ulliri prej floriri dhe disa objekte zbukurimi grash prej bronzi. Gjetjet arkeologjike ne kodrën e Sopotit datohen rreth viteve 280-275 p.e.s. Rruga për të vajtur në Kështjellën e Sopotos është e veshtirë dhe shkohet vetem ne këmbë.

Shiko në hartë.