Kulla e Ali Pashës ose kulla e Vlashajve ndodhet në fshatin Qeparo rreth 1 km në veri të tij. Ky ndërtim shquan për një përpunim të kujdësshëm, korniza karakteristike prej guri me motivet e njohura prej harkadash, si dhe kornizimi i dritareve me gurë të latuar rrisin vlerat e pamjeve të këtij ndërtimi.Nuk ka të dhëna të sigurta për shkaqet se përse Ali Pasha e ndërtoi këtë vilë kaq të bukur në këtë vend sa afër bregdetit dhe një porti të vogël të Jonit, aq edhe pranë terreneve malore të ashpra të Labërisë, të vështira për tu kapërcyer dhe penetruar në thellësi të tyre. Nuk përjashtohet që kjo banesë në formën e një fortesë, në një pozicion gjeografik që kontrollon mjaft mirë rugët e mundëshme që mund të afrohen nga fshati i Qeparoit, me oborr të madh dhe me mure rrethues të lartë, e vecuar nga fshati dhe në një pozicion strategjik, vështirë se mund të merret lehtë nga agresorë. Ajo, në një analizë të thjeshtë duket se duhet të jetë ndërtuar si një bazë me interesa të veçanta strategjike për Pashain e Janinës, për rrastet e një rreziku eminent, kur atij do t’i duhej të braktiste vendin dhe të largohej në perëndim, përmes detit, pasi sikundër dihet jo fort larg nga këtu, ndodhet Porto Palermo, ku Ali Pasha ndërtoi edhe një fortesë ushtarake bregdetare, që e konsideronte të rëndësishme për kontrollin e Jonit dhe si mundësi për daljen e tij në perëndim. Një tjetër mundësi duhet të ketë qënë edhe nevoja për të pasur një vilë në afërsi të bregdetit, për pushime, pasi jo fort larg nga këtu ai kishte kryer edhe ceremoninë e tij të martesës me Vasiliqinë, pikërisht tek Kisha që ndodhet në hyrje të Porto Palermos.