Kalaja e Iliasit apo e “Pirgut” ndodhet në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Himarë, mbi kodrën në vendin e quajtur “Qafa e Pirgut”, pranë fshatit Ilias. Në sipërfaqen e kësaj kodre shihen gjurmët e një vendbanimi të lashtë, prej të cilit janë ruajtur disa trakte muresh rrethimi, të ndërtuara me gurë të papunuar të madhësive mesatare. Muri ndjek relievin e kodrës, trashësia e tij arrin deri në 2.30 m. Kjo kala formon një plan rrethor me diametër 25 m. Në anën perëndimore muri ruhet në gjatësinë 70 m, ka gjerësi 3 m dhe lartësi 0.50 m. Në anën lindore, në gjatësinë 50 m, muri braktis vijën rushkulluese të kodrës dhe në skajin verior bën një kthesë drejtkëndëshe. Në këtë anë muri ka gjerësi 2 m, ruhet në lartësinë 1.80 m. Muret nga teknika e ndërtimit janë të ngjashme me ato të kalase së Badhrës në borsh, të cilat datojnë në periudhën e bronzit të vonë, ndërsa hyrja i përket një faze më të vonë, e cila lidhet me epokën e hekurit të hershëm.
Në të dy faqet muri është ndërtuar njëllojë, pa boshllëqe dhe mbushja midis tyre bëhet me gurë të vegjël dhe çakëll. Muret hyrja ka punim më të regullt, me faqet e gurëve të punuara me çekan dhe të vendosur për së gjati sipas linjës.