Dhërmi

Plazhi i Dhërmiut është ndër më të frekuentuarit. Rruga nacionale e ndan fshatin nga plazhi. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer dhe duke qenë ndër fshatrat më të vjetër të zonës ka ndërtime karakteristike, ku dallohet dhe ai i stilit kullë. Interes për vizitorët që pëlqejnë ndërtimet e vjetra është kisha e Shën Stefanit, në të cilën gjenden gjurmë të periudhës bizantine. Mbi fshat gjendet manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, të cilat kanë një pamje të veçantë. Përgjatë përroit të fshatit janë edhe disa shpella karstike me interes për t’u vizituar.

Plazhi i Dhërmiut është ndër më të mëdhenjtë e plazhit Jonian. Qetësi, bregdet të pastër, por edhe gjelbërimi në disa pjesë të tij i bëjnë të veçanta pushimet në të. Në zonë ka shumë bare, restorante, apo edhe pika akomoduese. Bregdeti preferohet për pushime ditore dhe kryesisht qëndrim disaditor, ku mund të shijosh rrezet e paradites dhe ujin e kristaltë, por edhe magjinë e perëndimit në det.

Eksploratorët e botës nënujore, apo të apasionuarit për të, mund të shijojnë zhytjet në ujin e pastër, ku thellësia joniane fillon që në breg. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për t’u vizituar. E tillë është shpella e Piratëve, e cila gjendet në kodrën e Shën Todrit. Emrin i saj rrjedh nga piratët që strehoheshin me mjetet e tyre në vendin e fshehtë. Një bllok shkëmbor në formën e një kolone ndodhet në hyrjen e saj, duke e ndarë në dy pjesë. Shpella rreth 30 m e gjatë ka vlera historike dhe turistike.

Shiko në hartë.