Të drejtat, përgjegjësitë dhe misioni i bashkisë

Të drejtat dhe përgjegjësitë e bashkisë

Ligji mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore (Ligji bazë është një ligji organik,
pra i miratuar më 3/5 e Kuvendit ) nr.8652, dt.31 07 2000 sanksionon kompetencat, të drejtat dhe
detyrimet e njësive të qeverisjes vendore.
Çdo njësi e qeverisjes vendore ka të gjitha tagrat të ushtrojë iniciativa në interes të komunitetit
lokal, përveç rasteve kur këto iniciativa janë kompetencë e ndonjë organi tjetër ose janë të ndaluara
me ligj. Duke iu referuar ligjit, njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë këto të drejta:

1.1. Të drejtën dhe përgjegjësinë e vetëqeverisjes, sipas së cilës:
a) përcaktojnë masa që ato i gjykojnë të nevojshme për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e
kompetencave;
b) bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe aktet nënligjore, të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tyre,
për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave, nxjerrin urdhëresa, vendime dhe
urdhra;
c) krijojnë struktura administrative për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të
tyre, sipas ligjeve në fuqi;
ç) krijojnë njësi ekonomike dhe institucione në varësi të tyre.
d) krijojnë komitete, borde ose komisione për kryerjen e funksioneve të veçanta sa herë që
paraqitet nevoja, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore.

1.2. Të drejtën dhe përgjegjësinë e pronësisë:
a) njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë të drejtën e pronësisë. Ato fitojnë, shesin dhe
japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre, si dhe ushtrojnë të drejta të
tjera, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
b) e drejta e fitimit të pronës, nëpërmjet shpronësimeve për interes publik, nga ana e njësive të
vetëqeverisjes vendore, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
c) e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë
ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.

1.3. Të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve,
sipas së cilës:
a) krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre;

b) vendosin taksa vendore e tarifa për shërbimet, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me
legjislacionin në fuqi;
c) hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre;
ç) mbajnë llogaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe ofrojnë informacione ose
raporte financiare për hartimin dhe zbatimin e buxhetit për qeverisjen qendrore ose shtetasit.

1.4. Të drejtën dhe përgjegjësinë e kryerjes së veprimtarive ekonomike, sipas së cilës:
a) për përmbushjen e funksioneve publike në interes të komunitetit që përfaqësojnë, në
përputhje me legjislacionin në fuqi, ushtrojnë veprimtari ekonomike që nuk bie ndesh me
orientimet themelore të politikave ekonomike të shtetit;
b) të ardhurat, që përfitohen nga veprimtaria ekonomike, përdoren në pjesën më të madhe
për mbështetjen dhe përmbushjen e funksioneve publike;
c) veprimtaria ekonomike e njësive të vetëqeverisjes vendore rregullohet në përputhje me
legjislacionin në fuqi.

1.5. Të drejtën e bashkëpunimit, sipas së cilës:
a) për kryerjen e shërbimeve specifike në emër dhe në dobi të komuniteteve përkatëse, dy
ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore mund të ushtrojnë së bashku çdo funksion që u
është dhënë atyre me ligj, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ose kontratave të përbashkëta,
delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive të veçanta njëra-tjetrës ose kontraktimit me një
palë të tretë;
b) bashkëpunojnë me njësi të vetëqeverisjes vendore të vendeve të tjera dhe përfaqësohen në
organizata ndërkombëtare të pushteteve vendore, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në
fuqi;
c) kanë të drejtë të organizohen në shoqata, në përputhje me legjislacionin përkatës.

1.6. Të drejtën e personit juridik:
Si persona juridikë, njësitë e vetëqeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e
përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi dhe në
mënyrë të veçantë:

a) të drejtën e lidhjes së kontratës;
b) të drejtën e krijimit të personave të tjerë juridikë;
c) të drejtën e ngritjes së padisë civile;
ç) të drejtën e mbajtjes së llogarive;
d) të drejta të tjera për ushtrimin e funksioneve në bazë dhe në zbatim të ligjeve dhe akteve
nënligjore.

1.7. Të drejta të tjera, sipas të cilave:
a) japin tituj nderi dhe stimuj;
b) vendosin emërtimet e territoreve, objekteve dhe institucioneve nën juridiksionin e tyre,sipas
kritereve të përcaktuara me ligj;
c) njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë vulën dhe simbolet e tyre.
2. Të drejtat dhe përgjegjësitë e sipërpërmendura ushtrohen nga organet e njësive të
vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj apo ligje të tjera në fuqi.

Misioni i Bashkisë

Bashkia siguron qeverisjen e efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve
nëpërmjet:
a) njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive;
b)respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë ose
në ligje të tjera;
c) zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësive të tjera publike vendore në dobi
të bashkësisë;
ç) ushtrimit efektiv të funksioneve, kompe-tencave dhe realizimit të detyrave nga organet e
vetëqeverisjes vendore;
d) realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme, bazuar në nevojat e anëtarëve të
bashkësisë;
dh) nxitjes efektive të pjesëmarrjes gjithë-përfshirëse të bashkësisë në qeverisjen vendore;

e) realizimit të shërbimeve, në përputhje me standardet e kërkuara me ligj ose akte të tjera
normative.