Funksionet e bashkisë në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit

Bashkia është përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:

1. Administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të saj, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Administrimin dhe mbrojtjen e tokave bujqësore e të kategorive të tjera të resurseve, si toka të pafrytshme etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

3. Krijimin dhe administrimin e sistemit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor e rural, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Krijimin dhe administrimin e skemave vendore të granteve për bujqësinë e zhvillimin rural, të financuara nga buxheti lokal dhe/ose me bashkëfinancim nga të tretët, duke garantuar akses të balancuar gjinor.

5. Administrimin e fondit pyjor dhe kullosor publik, sipas legjislacionit në fuqi.

6. Mbrojtjen e natyrës e të biodiversitetit, sipas legjislacionit në fuqi.