Procedurat për ankimim:
Si të arrish mbrojtjen ligjore? Procedurat e apelimit – hap pas hapi.
- Apeluesi. Operatori ekonomik ose tenderuesi, si dhe çdo person që ka pasur interes në një procedurë prokurimi publik, koncesioni, ankandi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktor, i marrë në kundërshtim me këtë ligj, mund ta kundërshtojë vendimin.
- Ankesa për procedurat e prokurimeve, ankandeve dhe koncensioneve/PPP-ve (sipas ligjit nr.123/2013 Koncesionet dhe Parneriteti Publik Privat) i paraqitet, së pari me shkrim, autoritetit kontraktor në fjalë brenda 7 ditëve që nga dita kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas përcaktimeve përkatëse ligjore.
- Afatet kohore për paraqitjen e ankesës për prokurimet publike ankandet dhe koncesionet/PPP-të. Nëse Autoriteti Kontraktor nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim tek Komisioneri i Prokurimit Publik brenda 10 ditëve nga dita e nesërme e punës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar, për procedurat e prokurimit dhe koncesioneve/PPP-ve si dhe brenda 7 ditëve për procedurat e ankandit ose në rast se ankesa nuk pranohet nga autoriteti kontraktor, që nga dita kur ankuesi është njoftuar nga autoriteti kontraktor. Një kopje me shkrim e ankesës i dërgohet edhe autoritetit kontraktor. Ankesa për procedurat e koncensioneve i paraqitet KPP brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit të klasifikimit vetëm në rastet kur procedura koncensionare ka nisur të zhvillohet në bazë të ligjit nr.9663, dt. 18.12.2006 “Për koncensionet” i ndryshuar.
- Përmbajtja e ankesës. Ankesa bëhet me formularin përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete, baza ligjore dhe përshkrimi i shkeljes, pretendimi i ankuesit për vendimin përfundimtar, shkallët e ankimit shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe vendimin e autoritetit kontraktor. Elementët e mësipërm janë të domosdoshëm për shqyrtimin e ankesës.
- Mbrojtja ligjore. Palët kanë të drejtë, që kundër vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, të bëjnë padi për të shqyrtuar mosmarrëveshjet administrative në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e prokurimit, ankandeve dhe koncensioneve/PPP-ve.